Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se sot Qeveria shkeli mbi një punë të mirë që kishte nisur në fundin e shkurtit të vitit 2020, kur edhe u themelua grupi i ekspertëve për vetingun në sistemin e drejtësisë me qëllim të dizajnimit të skenarëve se si në Kosovë mund të bëhet vetingu.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo punë e mirë u rrënua qëllimshëm.
“Harrnimet aktuale janë dëshmi se kjo Qeveri nuk e do shtetin e së drejtës”, ka shkruar Haxhiu.
Postimi i plotë:
Sot, zyrtarisht Qeveria shkeli mbi një punë të mirë që kishte nisur në fundin e shkurtit të vitit 2020, kur edhe u themelua grupi i ekspertëve për vetingun në sistemin e drejtësisë me qëllim të dizajnimit të skenarëve se si në Kosovë mund të bëhet vetingu. Ishim të përkushtuar për shtetin e së drejtës dhe qëllim kryesor kishim çkapjen e sistemit të drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe arritjen e një sistemi të drejtësisë me prokurorë e gjyqtarë të ndershëm e me integritet moral e profesional të cilët do të vepronin vetëm në përputhje me kompetencat e tyre, pa u frikësuar dhe pa asnjë ndikim, nga askush! Këtë e duan edhe prokurorët e gjyqtarët e ndershëm brenda sistemit.
Sot, kjo punë e mirë u rrënua qëllimshëm. Harrnimet aktuale janë dëshmi se kjo Qeveri nuk e do shtetin e së drejtës.
Në fund fare unë falënderoj secilin anëtar të grupit të ekspertëve që pranuan me vullnetin më të madh dhe pa asnjë kompensim financiar të japin kontributin e tyre profesional në këtë proces. Kjo reformë ndonëse po shtyhet e pengohet qëllimshëm, nuk mund të ndalet.
Shteti i së drejtës nuk ka alternativë! /Telegrafi/