Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë të pezullojë punimet në pronën “Vicianium” derisa ka kërkuar nga policia që ta zbatojë vendimin e Ministrisë për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt.
Haxhiu thotë se kompanisë që i është shkëputur kontrata ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri.
“Kompania të cilës ia kemi shkëputur kontratën për shkak se e njëjta ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, përcjell Telegrafi.
Haxhiu ka kërkuar përgjegjësi nga kryetari i Vushtrrisë, derisa thotë se vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna.
“Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike. Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet”.
Haxhiu thotë se punimet nuk guxojnë të rifillojnë deri në një vendim nga Gjykata.
“Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet”.
“I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës ta mbrojë pronën publike dhe po ashtu policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë”, ka shkruar më tej Haxhiu./Telegrafi/