Site icon Telegrafi

Haxhiu i kërkon kryetarit të Leposaviqit të mos japë dorëheqje

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, që të mos japë dorëheqje, pas nisjes së procedurave për nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ që i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në veri.

Reagimi i Haxhiut vjen pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim për caktimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Albin Kurti po mundohet me  të largu nga Komuna me një Udhëzim Administrativ”.

“Serbët me protesta e dhunë nuk arritën me të largu nga Komuna, ndërsa Albini e Elberti po të largojnë me Udhëzim Administrativ (UA)”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.

“Radha është ti me kërku llogari për sakrificën që ke bërë tash e sa muaj.Mos prano që serbët me u tall me ty për pazaret e Albinit e Besnik Bislimit. Ju kam treguar që në fillim se Albin Kurti ka me u tërheq nga veriu, sepse kudo që deri sot ka hy është tërhequr. Albin Kurti  fjalë i ka babush, a punët si hiq kërkush”, ka shkruar Haxhiu.

Lexo po ashtu MAPL nis procedurat për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve në veri

Ndryshe, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.

“Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar sot se ka marrë vendim për caktimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version