Site icon Telegrafi

Haxhiu: Hoti e Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi, nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa zgjedhje

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe përmbysja e vullnetit të 6 tetorit tregon qartë se Hoti e Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi.

Haxhiu thekson se që në fillim këta i zbatuan kërkesat e Serbisë duke hequr reciprocitetin dhe duke hequr dorë nga anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

“Rrëzimi i qeverisë Kurti dhe përmbysja e vullnetit të 6 tetorit tregon qartë se Hoti e Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi. Këta që në fillim i kanë zbatuar kërkesat e Serbisë duke hequr reciprocitetin dhe duke hequr dorë nga anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar. Këto janë premisat e një pazari të keq. Ndërkohë janë mbajtur disa seanca ku z.Hoti lëre që nuk ka as mbështetje as platformë e nuk ka krijuar as unitet, por nuk ka treguar as më të voglën fjalë se çfarë po bisedohet në këto negociata”, thotë Haxhiu.

Ish-ministrja, Qeverinë Hoti e quan ilegale duke thënë se s’mundet të sjell marrëveshje pasi nuk e kanë besimin qytetarë.

“Ai po thotë që platformë është kushtetuta ndërkohë ndër fjalët e para që ka thënë është se Asociacioni është obligim.Përtej këtyre tendencave e vizitave tinzare pa mandate, e pa legjitimet ne i bëjmë me dije kujtdo që tenton të sjell ndonjë marrëveshje të dëmshme se ato nuk mund të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës. Nuk mundet një qeveri ilegale, ilegjitime të sjelli marrëveshje e aq më pak persona që nuk kanë marrë as më të voglin besim qytetarë të përfaqësojnë Kosovën”, shton Haxhiu.

Më tej thotë se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa zgjedhje demokratike paraprakisht.

“Kjo gjë ka marrë fund. Ata mund të shëtitën gjithandej, por pazaret këtu nuk kanë vend”, shkroi Haxhiu në Facebook, njofton Telegrafi.

Exit mobile version