Telegrafi

Haxhiu ftohet për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale lidhur me deklaratën e saj për rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të enjten se është ftuar nga Prokuroria Speciale që të dëshmojë lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas Haxhiut, e gjithë kjo bazuar në një status të saj të bërë në rrjete sociale në përvjetorit e ndarjes nga jeta të Deharit.

“Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se një prokuror duhet ta dijë se Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar.

“Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefkiu e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!”.

Megjithatë, Haxhiu ka thënë se do ta japë dëshminë e saj lidhur me këtë, por ka shtuar se “Prokurori Shefkiu dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi”.

Me rastin e 7-të vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhiu ka thënë se “krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi”.

“I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje. Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga autoritetet e drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook më 5 nëntor 2023.

Sipas saj, një sërë anomalish institucionale janë vërejtur menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, “që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha”.

“Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim. Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast”.

“Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar. Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/