Telegrafi

Haxhiu i drejtohet LDK-së: A i bie që nëse ne iu kritikojmë, ju shkoni me PDK-në

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë thënë se kritikat e VV-së mund të prishin mundësinë e koalicionit paszgjedhor.

Haxhiu në shkrimin e bërë në Facebook, ka parashtruar dy pyetje për zyrtarët e LDK-së, të cilët po reagojnë ndaj kritikave të Vetëvendosjes,

“LDK po thotë mos na kritikoni, sepse kjo prish mundësinë e koalicionit paszgjedhor. E para: pse po kanë frikë nga kritikat tona e s’po kanë frikë të kopjojnë frazat e premtimet tona. E dyta: a i bie kjo që nëse ne i kritikojmë ata shkojnë me PDK-në”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se pas 30 gushtit, gjithçka është qartësuar andaj secili subjekt duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

Theksojmë se Vetëvendosje dhe LDK nuk kanë arritur të lidhin koalicion parazgjedhor, të dyja partitë do të garojnë të vetme. Së fundmi, kryetari i VV-së, Albin Kurti përmes një letre publike kishte ftuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën që të garojnë më një listë të përbashkët, por pa kandidatë për kryeministër.

Ai kishte thënë se varësisht cili nga kandidatët ai i LDK-së apo i VV-së, merr me së shumti voto, ai të zgjidhet kryeministër, mirëpo ofertën e Kurtit e kishte refuzuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Megjithatë, ai ka lënë mundësinë e hapur që me Vetëvendosjen të bëjnë koalicion pazgjedhor./Telegrafi/