Telegrafi

Haxhiu: Dhuna në familje është rritur për 30 për qind, të ngritët përgjegjësia institucionale

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se rritja e rasteve të dhunës në familje për 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar është shqetësuese.

Haxhiu në një postim në Facebook, ka thënë se duhet të ngritët përgjegjësia institucionale sidomos e atyre të sigurisë e drejtësisë.

“Gjatë kohës së pandemisë, krahasuar me vitin e kaluar, dhuna në familje është rritur për 30% më shumë bazuar në data bazën që posedon Ministra e Drejtësisë. Kjo është shqetësuese dhe kërkon ngritjen e nivelit të përgjegjësisë së institucioneve, sidomos atyre të sigurisë dhe drejtësisë. Dhuna psikike, fizike, materiale dhe seksuale është vepër penale prandaj çdo dhunues duhet të dënohet sipas legjislacionit në fuqi”, shkruan Haxhiu.

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese të shoqërisë, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë. Me një numër të madh të rasteve të tilla po përballet Kosova edhe gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Gjatë kësaj periudhe në vendin tonë ka pasur rritje të numrit të rasteve në fjalë, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës dhe në institucionet që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Drejtori  i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se ndonëse kriminaliteti ka rënë gjatë kohës së pandemisë, është rritur numri i rasteve të dhunës në familje, kurse për këtë dukuri për Telegrafin ka folur edhe Luljeta Aliut, Drejtoreshë e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe aktiviste për të Drejtat e Njeriut, ku ka thënë se situata e izolimit në shtëpi dhe detyrimi i çifteve që të ndajnë 24 orë hapësirën e banimit, sidomos tani gjatë kohës së pandemisë e cila po zgjatë me muaj, e ka rritur mundësinë e përdorimit të dhunës ndaj anëtarëve të familjes. /Telegrafi/