Telegrafi

Haxhiu: Apeli mos ta legjitimojë procesin e noterisë

Ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i noterisë në mandatin e ish ministrit Abelard Tahiri, ka qenë ndër proceset më të komprometuara në vend, prandaj ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që mos ta legjitimojë procesin e kaluar të noterisë.

Këtë deklaratë Haxhiu e bëri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku tha se ka pasur shumë ndërhyrje në procesin e Noterisë, sa që sipas saj doli sheshit paligjshmëria dhe mungesa e meritokracisë.

“Aq shumë ndërhyrje janë bërë, saqë doli sheshit paligjshmëria dhe mungesa e meritokracisë, nuk mundën ta fshehin siç kanë bërë me procese të shumta. Kur kam pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, të njëjtin proces e kisha anuluar por pavarësisht kësaj e kam ditur që ata që kanë ndërhyrë në atë proçes nuk do të lënë gurë pa lëvizur vetëm e vetëm që ta mbrojnë këtë proçes të paligjshëm dhe interesat e tyre”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që mos ta legjitimoj procesin e kaluar të noterisë, por të respektoj anulimin e këtij proçesi, të cilin ajo e ka bërë në mandatin e saj.

“Departamenti administrativ brenda Gjykatës Themelore, dy herë radhazi me të drejtë kishte refuzuar masën e përkohëshme nga paditësi por Gjykata e Apelit sërish e ka kthyer në rivendosje, por po ashtu ka kërkuar ndryshim të gjyqtarit në dep.administrativ. Rrallë e dëgjuar! Pra, Gjykata e Apelit ka kërkuar ndryshim gjyqtari sepse nuk i pëlqen vendimi i shkallës së parë dhe derisa të vjen një gjyqtar i cili nxjerrë vendim që i pëlqen kësaj gjykate ose dikujt jashtë saj, duket se njësoj do të veprojnë! Ndërhyrjet në këtë kontest nuk duhet t’i pranojë askush. Anulimi i procesit të noterisë nuk është bërë për inat të askujt por për të mbrojtur profesionin e Noterisë. Gjykata nuk duhet ta legjitimojë të njëjtin”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu në Facebook. /Telegrafi/