Telegrafi

Haxhiu: Aktgjykimi i GJK-së hedh poshtë idenë e një Asociacioni, çfarë kanë nënshkruar Thaçi e Mustafa

Ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklaratës së kreut të LDK-së Isa Mustafës i cili ka thënë se nëse shihen deklaratat e VV-së, atëherë vërehet se kjo parti pajtohet që të krijohet Asociacioni sipas vendimit të Kushtetueses.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu tha se Mustafa paska hedhur shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur.

“‘Zajednica’ është edhe synim edhe kërkesë e Serbisë, të cilën kjo klasë politike ja ka mundësuar si synim dhe normalizuar si kërkesë, herë nëpërmjet të ashtuquajturve “normalizim i marrëdhënieve” e herë si ‘normalizim ekonomik. Aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015.”

“Parimisht e praktikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor”, tha Haxhiu.

Lexo po ashtu Mustafa mbron Hotin për Asociacionin - i reagon LVV-së e Vuçiqit

Sipas saj, Vetëvendosje ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja.

“Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja “Zajednicë” e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju”.

“Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/