Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka thënë se po duket se ka një plan të kurdisur për të ardhmen e Kosovës, të cilit i prinë presidenti Hashim Thaçi.
“Thaçi e tha atë që është dashur të thotë më herët. Është mirë që edhe qytetari i Republikës Kosovës ta sheh se kush dhe çka mendon për këtë vend”, tha deputeti Haxhi Shala në “Dossier D” në RTV Dukagjini.
Shala ka thënë se Nisma Socialdemokrate ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë kundër këtyre ideve që sot janë shpërfaqur nga BE-ja, Presidenti, nga reagimi i Serbisë për statusin e Trepçës.
“Po shoh se ka një koordinim të mirë mes disa mekanizmave të BE-së, siç është Mogherini, Vuçiqit, Thaçit e mbas këtyre është ndoshta dikush tjetër duke përgatitur planin, sepse reagimet e të tria palëve janë brenda 24 orëve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate ka thënë se dialogut duhet t’i bashkohen edhe subjektet tjera opozitare në mënyrë që të parandalohet ky plan që, sipas ti, “vetëm po ec para”.
“Pa një bashkim të opozitës, ky plan që duket i përgatitur mirë është vështirë do të ndalet. Por, me një bashkim të VV-së e LDK ky plan i ndarjes së Kosovës ose korrigjimi i kufijve të Kosovës do të ndalet pa ndonjë problem”, deklaroi Shala./Telegrafi/