Haxhi ‘Robin’ Krasniqi ka folur rreth shumë çështjeve në një konferencë të organizuar në Prishtinë, ndërsa në theks të veçantë ka folur edhe për vështirësitë deri te suksesi dhe fitimin e zemrave të gjermanëve.
Boksieri nga Juniku është kthyer në Kosovë vetëm disa ditë pasi ka fituar titullin e botës në boks.
Krasniqi ka mposhtur gjermanin Dominic Boesel dhe triumfi në këtë meç ka bërë që junikasi të jetë shumë krenar me këto arritje.
“Ka qenë një vështirësi e madhe, pasi unë jam integruar në Gjermani dhe boksoj për atë vend, por e kam cek gjithmonë vendin ka vij me shumë krenari dhe gjithmonë jam përcaktuar për dy vendet. Atje duhet me punuar dhjetë herë më shumë për me mposht një gjerman”, ka thënë fillimisht Krasniqi.
“E kam pas shumë vështirë me depërtuar, sidomos kur është kundër një gjermani. Ka qenë punë e madhe, pasi zhgënjimet kanë qenë pjesë e suksesit dhe më kanë bërë edhe më të fortë, duke i thënë vetes se duhet me vazhduar mos me mbet në pozitën e njëjtë, por ka qenë ëndërr e imja që këtë arritje me realizuar”.
“Gjermanët kanë dashur që ai të jetë fitues, mediat e kanë favorizuar, por historia jem si 17 vjeçar që kam shkuar atje dhe 15 vjet ka vonuar ky sukses dhe kjo ka qenë prekëse edhe për ata dhe kjo ka bërë që edhe mediat gjermane të kthehet në favorin tonë dhe të kenë shumë respekt”, përfundoi junikasi. /Telegrafi/