Telegrafi

Haxhi Avdyli: Thaçi rreziku më i madh për shtetësinë e Kosovës

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, e ka cilësuar presidentin e vendit Hashim Thaçi si dhuratën më fatkeqe dhe e dëmshme që ia kemi bërë vendit.

Reagimi i deputetit Avdyli, vjen pasi Presidenti Thaçi ka hedhur akuza të rënda në drejtim të familjes së kryeparlamentares Vjosa Osmanië.

Avdyli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Thaçi mbetet përçarës kronik, një njeri i cili nuk skuqet aspak kur mohon edhe fjalët e tij , që paturpësisht sulmon duke shpifur këdo që ka guximin me ia shpërfaq publikut të vërtetat e karakterin e tij politik të shthurur”.

Postimi i plotë i Avdylit:

“Hashim Thaqi , një president i zgjedhur edhe me votat e LDK-së, mbetet dhurata me fatkeqe dhe e dëmshme që ia kemi bërë vendit. Me qëllim apo pa qëllim, me përfitime politike për LDK-në apo jo, ajo tashmë ska rëndësi më. Ky mbetet përqarës kronik, një njeri i cili nuk skuqet aspak kur mohon edhe fjalët e tij , që paturpësisht sulmon duke shpifur këdo që ka guximin me ia shpërfaq publikut të vertetat e karakterin e tij politik të shthurur. Unë e kam konsideruar edhe tani e çdo ditë e më shumë jam i bindur që ky person jo vetëm që ka shkaktuar përqarje të medha në skenën politike por mbetet rreziku më i madh për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” (sic.), ka shkruar Avdyli.

Ndryshe, presidenti Thaçi, sonte në një intervistë televizive ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, duke thënë që dikush nga familja e saj i ka shërbyer Serbisë.

“Projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/