Drejtori i Agjencisë kundër korrupsionit Shaip Havolli ka thënë në emisionin “Përballje” i transmetuar në RTV Dukagjini e Telegrafi.com se ka përpjekje për të parandaluar korrupsionin mirëpo sistemi diku po çalon.
Sipas tij në vitin 2015 e 2016 ka pasur shumë kallëzime penale edhe për profile të larta që kanë kaluar në aktakuza.
“Për çudi shumë aktakuza janë hedhur poshtë nga ana e Gjykatave, ka raste edhe kur Prokurorët janë tërhequr kur nga aktakuza ose kanë hedhur kallëzimet penale, dhe kjo është shqetësuese, kjo është thënë edhe nga ana e kryeprokurotit Aleksandër Lumezi”, ka thënë Havolli në emisionin “Përballje”.
Dhe këtu sipas tij ekziston një defekt dhe duhet të gjendet ku është problemi te Gjykata, Prokuroria apo te institucionet tjera.
“Këtu është problemi që duhet të tregohen ku është problemi te Prokuroria, te Gjykata, te Policia, te Agjencia dhe kjo duhet të trajtohet ku është problemi te kallëzimet penale apo diçka tjetër. Duhet me pas arsye pse është hedhur poshtë një aktakuzë nga Prokuroria, Gjykata etj”, ka deklaruar Havolli.
Sipas tij, që të mos ndodhë hedhja e topit nga njëra palë te tjera apo të mos ketë akuza të ndërsjella, për këtë duhet të qartësohet se ku qëndron problemi.
“Policia thotë se bëjnë mirë punën, Prokuroria thotë e bëjë mirë e Gjykata thotë se nuk ka prova, Agjencia thotë se ka bërë kallëzimet penale në rregull – pra nuk kemi debat mes këtyre akterëve për të parë ku po çalojmë në këto raste”, ka potencuar Havolli.
Emisioni “Përballje”, është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu që transmetohet në RTV Dukagjini.