Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka akuzuar liderin e LDK-së, Isa Mustafën, se në vazhdimësi ka qenë kundër ndryshimit në Prizren dhe Kosovë.
Sipas tij, nuk është e vërtetë që LDK-ja e ka mbështetur atë në zgjedhje.
“Isa Mustafa po shihet se është kundër ndryshimeve në Kosovë” tha Haskuka, në një konferencë për media.
Haskuka ka prishur koalicionin me LDK-në në Prizren.
Kundër këtij vendimi ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
“Prishja e njëanshme e koalicionit flet për paqëndrueshmërinë e VV-së. Ata kështu vepruan edhe në koalicionin në nivel qendror, duke ndërmarrë veprime të njëanshme dhe arbitrare”, ka thënë Isa Mustafa, shkruan “PrizrenPress”.
Kreu i LDK-së ka thënë se Haskuka është në krye të Komunës së Prizrenit falë mbështetjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa e ka paralajmëruar atë se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të rikthehet në pushtet në Prizren.
Ndërkaq, me këtë konstatim nuk pajtohet Haskuka.
Ai tha se LDK-ja nuk e ka mbështetur në balotazh.
“Mustafa në balotazh e ka bllokuar LDK-në që të më mbështesë. Ai po e keqinformon opinionin”, tha Haskuka.
Sipas tij, VV-ja në balotazh ka pasur koalicion vetëm me Nismën.
Haskuka nuk e mohon mbështetjen e anëtarëve të ndryshëm të LDK-së, në balotazh.
Ai, ka përmendur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhakun.
“Baxhaku ka shkruar në Facebook duke thënë se Prizrenit i duhet ndryshimi. Nuk e ka përmendur emrin tim, por unë e kam falënderuar”, tha ai.
Sipas tij, pas fitores LDK-në e ka marrë në qeveri për të krijuar shumicën në Kuvend.
“Kam dashur që bashkërisht ta bëjmë ndryshimin në Prizren”, tha Haskuka.