Site icon Telegrafi

Hasi tek skuadra e madhe greke

Besnik Hasi është gati të rinisë punë, pas largimit nga Legia e Varshavës shtatorin e shkuar.

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, i cili ka shpallur kampion Anderlehtin në vitin 2014 dhe çoi Legian në grupet e Ligës së Kampioneve, ka preferuar ta bëjë pushim deri në fund të këtij sezoni, duke pritur ofertën e duhur.

Disa klube belge janë interesuar, por Hasi ka preferuar të presë ndonjë klub të rëndësishëm dhe duket se një prej tyre është Olimpiakosi.

Klubi grek, i saposhpallur kampion në Greqi, do të punësojë trajner të ri këtë verë, pas dështimit në Evropë, ndaj po studion një listë të gjatë kandidatësh.

Një prej tyre është edhe Hasi, i cili me eksperiencën që ka mund të përzgjidhet nga drejtuesit grekë, aq më shumë që në Belgjikë shqiptari konsiderohet një ndër trajnerët më të talentuar në qarkullim.

Natyrisht, konkurrenca është e madhe, sepse Olimpiakosi është një klub shumë i rëndësishëm dhe kërkon trajner me CV mjaft të pasur, por edhe Hasi ka shanset e tij.

Exit mobile version