Trajneri kosovar, Besnik Hasi, në edicionin e ardhshëm pritet të jetë në krye të skuadrës turke Trabzonspor.
Mediumet turke kanë njoftuar se drejtuesit e Trabzonsporit tashmë kanë biseduar me Hasin, i cili do të largohet nga skuadra e Anderlechtit në fund të këtij edicioni.
Mësohet se Hasi shihet si zgjidhja më e mirë për ta zëvendësuar trajnerin aktual të Trabzonsporit, Hami Mandirali, transmeton kohaditore.
“Bordi i klubit po insiston për një trajner të huaj, pasi nuk është i kënaqur me rezultatet aktuale. Njëri prej kandidatëve kryesorë është Besnik Hasi me të cilin edhe është biseduar”, ka shkruar sajti turk “SporX”.
Hasi, 44-vjeçar, prej vitit 2014 është në krye të Anderlechtit dhe më këtë ekip ka kontratë deri në vitin 2017. Emri i Hasit më herët ka qenë i lidhur me skuadrat si Galatasaray e Aston Villa.