Telegrafi

LIVE: Hashim Thaçi paraqitet për herë të parë para Speciales në Hagë

E plotësuar:

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën që e rëndon nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se aktakuza është e paqëndrueshme, transmeton Telegrafi.

“Aktakuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

E plotësuar: 

Sekretari administrativ i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka lexuar pikat e aktakuzës të cilat e rëndojnë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Thaçi akuzohet për vepra penale si krime lufte dhe gjashtë tjera si krime kundër njerëzimit.

“Thaçi akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave”, u shpreh sekretari administrativ i Speciales.

Ai tha se këto krime u kryen në mes të prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe Shqipëri veriore.

“Ato u kryen në këto vende si: Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende tjera në komunë e Podujevës, vende tjera në komunën e Rahovecit, Drenasit, Ferizajt, Gjilanit, Jabllanicë në Gjakovë, Kaçanik dhe vende tjera në komunën e Lipjanit, Likoc në Skenderaj, Malishevë, në Klinë, Novobërdë, vende tjera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës dhe Viti dhe Cahan dhe Kukës në Shqipërinë veriore”, tha ai.

Ai shtoi se krimet në pikat 1,2,4,6,8 u kryen si pjesë e një sulmi ndaj popullatës civile.. këto krime kishin në shënjestër kundërshtarët që kishin lidhje me forca, nuk përkrahin UCK-në dhe ishin kundër qeverisë së përkohshme duke përfshirë edhe persona që kishin lidhje me LDK-në.

Kurse krimet në pikat 3.5.7.9 u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në luftime aktive.

E plotësuar:

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij.

“I hedhi poshtë të gjitha”, deklaroi Thaçi.

Seanca ndaj Thaçit është duke vazhduar, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake deklaroi se në aktakuzën e Thaçit janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

E plotësuar:

Gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se në aktakuzën për Thaçin janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza ndaj Thaçit është konfirmuar më 5 nëntor, transmeton Telegrafi.

Përveç Thaçit, Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.

Në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Sot para gjykatësve në Hagë është paraqitur edhe Jakup Krasniqi, i cilu u deklarua i pafajshëm për akuzat që e rëndojnë nga Specialja. /Telegrafi/