Telegrafi

Hashim Thaçi e Bekim Jashari në mesin e policëve në natën e fundit të vitit 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në prag të ndërrimit të moteve vizituan Stacionin e Policisë në Skenderaj.

Thaçi duke i quajtur policët e Kosovës heronj, tha se se viti 2019 do të jetë vit i vendimeve historike dhe i zhvillimit ekonomik.

Thaçi ka falënderuar policinë për angazhimin e madh në ruajtjen e rendit, ligjit e qetësisë. Policia, sipas tij, është bërë shembull për institucionet e Kosovës.

“E di që ju do të donit që sonte të ishit në mesin e familjeve të juaja, por këto janë përgjegjësitë shtetërore. Prandaj, edhe ne duke ndarë së bashku me ju përgjegjësitë që kemi, pata dëshirë që të vijë dhe së bashku me kryetarin t’ju takojmë dhe t’ju urojmë për punën tuaj të mrekullueshme. Vitet shkojnë, kohërat ndërrojnë, por përgjegjësia e juaj do të jetë gjithmonë e rëndësishme dhe do të jetë gjithmonë e respektuar. Kështu që unë besoj që viti i ardhshëm do të jetë vit shumë më i suksesshëm, vit i vendimeve historike, vit i zhvillimit ekonomik dhe i progresit. Të jeni të bindur se gjithmonë do ta keni përkrahjen e shtetit të Kosovës në angazhimet e juaja që i keni ju dhe me veprimet e juaja po shndërroheni në hero të vendit, në hero të gjallë në shërbim të atdheut dhe qetësisë”, tha Thaçi, raporton KP.

Në këtë natë presidenti dha edhe një mesazh.

“Uroj që të ketë festime pa krisma të armëve“, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari duke uruar policinë për ndërrim të moteve, është lutur që policia, mjekët dhe zjarrfikësit të kenë sa më pak punë.

“Kjo është bërë traditë që me dal me i vizitua edhe policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe shtëpinë e shëndetit, të cilat në këtë natë të ndërrimit të moteve, janë të vetmit që kujdesen për neve. E që të gjithë ne duhet me u lutur që këto tri institucione të kenë sa më pakë punë në krahasim me institucionet tjera. Kështu që, gëzuar, paçi shëndet e mbarësi në familjet e juaja. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë neve. Faleminderit president për vizitën. Urime të gjithëve”, tha Jashari.

Toger Basri Durmishi, komandant i Stacionit të Policisë në Skenderaj ka mirëpritur prezencën e presidentit së bashku me stafin.

“Prezenca e juaj dhe e kryetarit në këtë rast do të na motivojë në të ardhmen për ruajtjen e rendit publik, parandalimin e krimit, rritjen e efikasitetit të policisë”, tha Durmishi.

Kryetari Jashari ka ndarë dhurata për policinë e këtij stacioni në Skenderaj. /Telegrafi/