Site icon Telegrafi

Hasani vazhdon t’i quajë hakmarrje akuzat ndaj tij

I ka cilësuar si hakmarrje ndaj tij dy aktakuza që i janë ngritur brenda një periudhe të shkurtër, por nuk është deklaruar për fajësinë ose pafajësinë në njërin nga rastet.

Seanca fillestare në rastin ku Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, nuk ka zgjatur shumë.

Pasi prokurori i ka lexuar aktakuzën, avokati i Hasanit, Bajram Tmava, ka përmendur disa arsye, për të cilat i ka sugjeruar klientit të tij, të mos deklarohet për fajësinë tij.

Tmava, ndër të tjera ka thënë se aktakuza nuk përmbush kriteret e parapara me Kodin e Procedurës Penale, derisa është ndalur edhe tek imuniteti funksional dhe imuniteti diplomatik i dëshmitarit të këtij rasti, Robert Carolan, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjyqtari Shasivar Hoti, ka vendosur të shtyjë seancën derisa të marrë një vendim për opinionin e dorëzuar nga mbrojtja, ndërsa këtë veprim e ka quajtur të padrejtë prokurori Islami.

Për ish-rektorin e UP-së dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kjo është aktakuza e dytë që i është ngritur. Në një rast tjetër, është duke u gjykuar gjithashtu për mashtrim në detyrë, me rastin e përkthimit të disa teksteve për nevoja të UP-së, çka pretendohet se i kishte sjellë Hasanit dhe dy personave të tjerë, përfitime financiare.

Exit mobile version