Investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në Kosovë përballën me probleme të shumta, por Qeveria e Kosovës pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike po shikon mundësitë për të ndalur privatizimin e tokave nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë se ndalja e privatizimit të tokave ka për qëllim që investitorëve të huaj tu sigurohet toka për të investuar.
“Ligji për Investime Strategjike është shumë i mirë, i cili është kaluar në janar të këtij viti, nuk janë përcjellë aktet nënligjore, prandaj e kemi fokus që ta funksionalizojmë sa më parë. Por si Kosovë më së shumti problem e kemi sigurimin e hapësirave për investitorët që do t’i ofronte vendi ynë. Do të bëjmë kërkesë t’i ndalim privatizimet e tokave nga AKP-ja, për t’iu siguruar toka investitorëve të huaj”, tha Hasani.
Janë shumë elemente që pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj, por sipas Hasanit është duke u krijuar një klimë e mirë për investime në Kosovë.
“Në takimet me ambasadorët e huaj, ata kanë kërkesa që ta jetësojmë sa më shpejtë Ligjin për Investime Strategjike, për të mundësuar thithjen e sa më shumë investimeve të huaja në vend, pasi që kemi nevoja të mëdha”, thekson Hasani.
Ai ka thënë se një mundësi e mirë për investitorët e huaj por edhe për ata vendorë janë edhe zonat ekonomike.
“Gjatë vitit 2018 do të fillojmë me zonat ekonomike në Malishevë, Prizren dhe Gjilan, por janë disa punë që duhet të bëhen me Kuvendet Komunale. Po ashtu do ta shikojmë mundësinë që 20 për qind e zonës ekomomike të rezervohet për investime të huaja – këto zona duhet të zgjerohen”.
Ndryshe Kosova në Raportin e Bankës Botërore për të “Bërë Biznes 2018” është renditur e 40-ta.
Për fillimin e biznesit është renditur e 10 ndërsa është renditur keq sa i përket sigurimit të lejeve të ndërtimit – në vendit e 122, sigurimi i energjisë elektrike e 106-ta, si dhe për mbrojtjen e investitorëve të vegjël, në vendin e 89-të. /Telegrafi/