Telegrafi

Hasani: Marrëveshja e Washingtonit nuk e prekë sovranitetin e vendit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Enver Hasani, vlerëson se marrëveshja e Washingtonit është zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin.

Ai u shpreh se asnjë pikë e kësaj marrëveshje nuk e shkelë sovranitetin e Kosovës, duke përfshirë pikën për liqenin e Ujmanit.

“Marrëveshja e Washingtonit është lëvizja më e mirë gjeostrategjike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përse duhet të jetë problem Ujmani nëse në asnjë interpretim të asaj dispozite nuk del se ka prekje të sovranitetit. Thuhet që Ujmani do të jetë objekt i një projekti të fizibilitetit për qëllim të shikimit të gjerësisë dhe thellësisë së përdorimit të tij për të mirë të Kosovës dhe vendeve të rajonit”,  ka thënë ai.

Hasani ka pohuar se çështja e liqenit të Ujmanit nuk lidhet me atë se kush e ka ndërtuar.

“Mbi bazën e dokumentit, sepse unë nuk e di se çka ka dikush në kokë, por bazuar në atë që shkruan në dokumente, nuk besoj se duhet të ketë rezerva, sepse çështjet e sovranitetit nuk mund të bëhen pa ne. Sot për sot nuk implikon në sovranitet. Çështja e liqenit të Ujmanit nuk lidhet me atë se kush e ka ndërtuar, është ligj ndërkombëtar kur një shtet bëhet sovran dhe i pavarur siç jemi ne, siç jemi bërë shtet i pavarur me 17 shkurt 2008, prona e patundshme e shtetit pararendës, juridikisht… çdo pronë e patundshme e regjistruar i mbetet atij shteti”, tha Hasani në Klan Kosova.