Telegrafi

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se LDK është tradhtuar disa herë, ka drejtë që kërkon marrëveshje për presidentin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se sistemi zgjedhor në Kosovë duhet të ndryshohet për të evituar situatat që lënë vendin pezull.

Hasani, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova duhet të bëj sistemin zgjedhor proporcional i ndarë me disa zona zgjedhore për dallim nga ky që ka sot me vetëm një zonë zgjedhore.

Ai ka thënë se me këtë sistem zgjedhor edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, rezultatet do të jenë pak a shumë të njëjta dhe bllokada mund të vazhdojë përsëri, përcjell Telegrafi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se megjithatë zgjedhje e presidentit duhet të zgjidhet me 2/3 e votave e që sipas tij kjo shumicë përfaqëson të gjitha shtresat dhe partitë.

Hasani ka thënë se LDK-ja dy-tri herë është tradhtuar në raporte politike dhe sipas tij ka të drejtë të kërkojë garanci qysh tani për votimin e presidentit.

“Kjo nuk do të thotë se nuk e tradhtojnë prapë. Marrëveshja politike nuk është juridike dhe nuk obligon me domosdoshmëri votimin e atij për të cilin zotohen”, tha ndër të tjera Enver Hasani./Telegrafi/