Një burim nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor në qeverinë e Kosovës, i ka ofruar portalit tesheshi.com një hartë e cila komprometon marrëveshjen e bërë nga autoritetet kosovare për vijën e demarkacionit me Malin e Zi.
Këtë hartë Agjensioni Kadastral i Kosovës ia ka dorëzuar në vitin 2011 Departamentit amerikan të Shtetit. Sipas saj, del ajo që pretendojnë kundërshtuesit e marrëveshjes, se Kosova po humb rreth nëntëmijë hektarë tokë.
Burimi ka shtuar se kjo hartë nuk është bërë publike nga ana e Agjensionit të kryesuar nga Murat Meha. Sipas tij, rugovasit kanë plotësisht të drejtë se pse nuk e pranojnë këtë Demarkacion.
“Ata të gjithë e dinë se ku është vija kufitare: Çakorri, Kulla e Zhlebit, Vaganica, Pllanica etj., të cilat janë pjesë e territorit të Kosovës dhe kurrë nuk kanë qenë pjesë e territorit të Malit të Zi”, thekson burimi, duke shtuar se ata kurrë nuk kanë paguar për kullota në këto pjesë porse i kanë marr me qira tokat – livadhet e pjesës matanë këtyre vendeve. /tesheshi/