Nga: David Zurawik, profesor i studimit të mediave [Goucher College] / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com
Le të mos merremi më me gjithë ato muhabetet e mediave për përleshjet e ashpra në kafaz, për xhijuxhicun dhe nëse ra për toke pronari i Twitter-it, Elon Musk, ndërsa CEO i Meta-s, Mark Zuckerbergu, tani do të angazhohet për vrasjen e medias [së tij] sociale – pas lansimit të aplikacionit të ri të tij të quajtur Threads.
Në esencë, nuk ka asgjë të gabuar nëse theksohet konflikti dhe drama e dy figurave kryesore të kulturës popullore, që konkurrojnë për të njëjtën fushë të teknologjisë dhe të medias.
Por, mund t’i mbulojmë më mirë se kaq në aspektin mediatik. Dhe, mund ta fillojmë atë proces duke shkuar përtej personaliteteve të lojtarëve, si Zuckerberg dhe Musk, për t’u fokusuar në mënyrën se si platformat që kontrollojnë dhe ndikojnë në gjithçka, që nga imazhet e trupit tonë dhe politika e deri te mënyrat se si e shohim botën dhe se si flasim e madje mendojmë për vendin tonë aty.
Të dy burrat janë të mirë në vendosjen e gjërave tërheqëse para syve tanë. Ashtu si politikanët, janë të aftë në artet e shpërqendrimit dhe të çorientimit. Keni parasysh idenë e luftës në kafaz.
Teksa e drejtojmë shikimin tonë drejt atij propozimi qesharak dhe ekzibicionist, ne në masë të madhe i shpërfillim pyetjet shumë më të mëdha shoqërore, si ajo se pse ndodh që Musku – i cili “cicëron” teori konspirative dhe poston metafora antisemitike – tashmë e kontrollon një hapësirë kaq të rëndësishme kulturore, një kanal që dikur shërbeu si platformë për ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet e vitit 2016.
Facebook-u i Zuckerbergut gjithashtu pati rol të turpshëm në zgjedhjet e vitit 2016, duke publikuar dezinformata të prodhuara nga ajo që ne tani e dimë se ishte një fermë e fabrikimeve ruse.
E mbani mend Zuckerbergun duke thënë se ideja se lajmet e rreme në Facebook ndikuan në zgjedhjet e 2016, ishte “ide goxha e çmendur” – një deklaratë kjo për të cilën tash thotë se është penduar?
Teksa mendojmë dhe shkruajmë për mundësinë e një lufte në kafaz, me këta miliarderë, ajo që nuk mendojmë apo nuk shkruajmë kaq shumë janë pyetjet shumë më të rëndësishme, si për shembull nëse pronat e tyre të mediave sociale duhet të rregullohen nga ndonjë forcë më e madhe se ata, si p.sh. nga Qeveria.
Akti i Komunikimeve i vitit 1934, që rregullonte transmetimet në radio dhe në televizion, urdhëroi se stacionet duhet të funksionojnë “në interes të publikut”. Një ish-kryetar i Komisionit Federal të Komunikimeve, i cili e zbatoi standardin, tha se mendonte për interesin publik si për “një të mirë të përbashkët”.
Ky koncept i përgjegjësisë sociale duket krejtësisht i humbur te të dy këta. Derisa nuk detyrohen ta bëjnë këtë, siç u detyrua Zuckerberg me hetime dhe seanca dëgjimore pas zgjedhjeve të vitit 2016, ata duket se nuk do ta marrin asnjë përgjegjësi për atë që publikohet në platformat e tyre. Dhe, ne si shoqëri e pësojmë më shumë nga kjo. Jo, qeveria dhe konsumatorët nuk janë të pafajshëm. Kongresi duket se nuk e ka vullnetin për t’i sfiduar me rregullore, këta gjigantë të teknologjisë, ndërsa konsumatorët nuk kërkojnë asgjë më mirë prej tyre.
(Kohët e fundit, Musk tha se Twitter-i “është i përcaktuar të ketë më së paku burime të pavërteta të informacionit”, ndërsa Zuckerbergu më 2020 tha se kompania ka shumë punë për të bërë për ta luftuar dezinformimin.)
Vitin e kaluar e shkrova një artikull në CNN, duke e shprehur shpresën time se analistët e mediave sociale do të fokusohen më shumë te politika dhe më pak te personaliteti. Por, me marrjen e Twitter-it nga Musku dhe me mbulimin e fundit të fillimit të Threads-it të Meta-s, bilanci vetëm se është përkeqësuar. Mbulimi i ndeshjeve në kafaz është niveli i ri i gazetarisë kokëboshe.
Ja një titull i kësaj jave në Insider: “Mark Zuckerbergu po e godet pa nda Elon Muskun me Threads-in e Meta-s, duke dhënë grusht pas grushti për dështimet e Twitter-it”.
Zuckerbergu po e “dënon” Muskun. Uau. Deri ku shkon mbulimi mediatik?
Ka shumë lenta të dobishme përmes të cilave mundet dhe duhet të ekzaminohet nisja e Threads-it. Po paratë, a janë gjithmonë bast i sigurt për Zuckerbergun?
Duke pasur parasysh se po nxehen temat e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 dhe se qindra miliona dollarë do të shpenzohen për reklamat në mediat sociale, duket e arsyeshme të hulumtohet nëse ky është faktori shtytës për vendimin e Zuckerbergut për ta nisur atë që tash dhe për ta pozicionuar platformën e tij si forum “miqësor” – për dallim nga Musk-u. “Vizioni për Threads-in është krijimi i një hapësire të hapur për bisedë publike dhe miqësore”, tha Zuckerberg në një postim në Threads. “Shpresojmë ta marrim atë që Instagram-i e bën më së miri dhe ta krijojmë një përvojë të re rreth tekstit, ideve dhe diskutimit të asaj që keni në mendje”.
Reklamuesit e zakonshëm shpeshherë hezitojnë të lidhen me një lloj mllefi dhe me gjuhën e urrejtjes që po gjen vend mikpritës në Twitter, qëkur Musku e merr pushtetin.
Por, nëse nisja e Threads-it ka të bëjë kryesisht me paratë, a do të sillet Zuckerbergu po aq papërgjegjshëm si në vitin 2016, kur Facebook merr reklama nga pothuajse kudo, pa bërë shumë pyetje edhe kur paguhej në rubla [të Rusisë]?
Dhe, si i bëjnë Twitter-i dhe Meta në mënyrë më efektive politikat për këto çështje, kur të dy kompanitë e kanë shkurtuar stafin?
Ka shumë pyetje të tjera që duhet t’i bëjmë në lidhje me privatësinë, me gjuhën e urrejtjes, me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe operativët politikë dhe mediatikë që janë shumë të aftë ta formësojnë dhe ta ndezin më tej debatin politik kombëtare, me shpresën për t’i avancuar kandidatët e vet.
Të përpiqemi të gjejmë pak kohë dhe pak hapësirë mediatike për ata – përtej kronologjisë se kush kë po e “dënon”, në vendin e titanëve mediatikë të drejtuar nga egoja. /Telegrafi/