Aktualisht Ligue 1 është duke u dominuar nga Paris Saint Germaini në krye me Neymarin dhe Kylian Mbappen.
Dyshja e lartpërmendur shpesh herë bëhen lajm në media për driblimet e tyre fantastike, por edhe për bashkëveprimet mes vete.
Por, për një moment të harrojmë dyshen e PSG-së pasi është Hatem Ben Arfa kryefjala e momentit në Francë kur flasim për spektakël në fushë.
Ylli i Rennes edhe pse nuk shënoi gol apo dhuroi asistim në fitoren 2-1 ndaj Nantes në Kupën e Francës, ai ishte thjesht i pandalshëm dhe vendimtar në kualifikimin e skuadrës në çerekfinale. 31-vjeçari dribloi pothuajse të gjithë lojtarët kundërshtarë që i dilnin para, duke i bërë me raste të dukshin qesharak.
Në 11 ndeshje këtë sezon francezi ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime, ndërsa ka një mesatare 3.9 driblime për ndeshje.
Më mirë se Ben Arfa në kampionatin elitar francez kanë dribluar vetëm Neymar (4.3 driblime për ndeshje) dhe Allan Saint Maximin i Nices (4.2 driblime për ndeshje).
Kujtojmë se karriera e yllit të tanishëm të Rennes ishte me shumë ulje e ngritje për shkak të lëndimeve, ndërsa në të kaluarën ai ishte edhe pjesë e Nices, PSG-së, Hull Cityt, Newcastle Unitedit, Marseilles dhe Lyonit. /Telegrafi/