Site icon Telegrafi

Harrojeni “Fadil Vokrrin”, fusha e përmbytur nga ‘uji dhe lloçi’ në Lubjanë vjedh gjithë vëmendjen para ndeshjes në Ligën e Konferencës

Është një fakt i njohur se fushat në Ballkan kanë qenë ndër më të këqijat në rajon në 30 vitet e fundit, por shembulli i mbrëmshëm nga Lubjana tregon se edhe në ato vende që janë në Bashkimin Evropian, trëndafilat nuk lulëzojnë.

Para disa javësh terreni i stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë bëri bujë të madhe shkaku i gjendjes katastrofale dhe kushteve minimale për zhvillimin e ndeshjes.

Megjithatë, një stadium tjetër tashmë ka rivalizuar fushën e stadiumit të kryeqytetit të Kosovës.

Mbrëmë në Lubjanë është luajtur ndeshja e xhiros së pestë në Ligën e Konferencës ndërmjet Olimlija dhe Lille, ndërsa në prag të ndeshjes ka rënë shi i dendur, gjë që ka shkaktuar probleme të mëdha për organizatorin e ndeshjes.

Gjegjësisht, fusha e stadiumit Stozice ishte e mbushur ujë dhe lloç përkundër gjoja kullimit (drenazhit) të nivelit të lartë, kështu që organizatorët duhej të gjenin një mënyrë për të përgatitur fushën e lojës.

 

Punëtorët e klubit slloven kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre dhe për këtë janë bërë hit në rrjetet sociale.

Ata sollën një numër të madh peshqirësh dhe në atë mënyrë u përpoqën të heqin qafe ujin e mbledhur në terrenin e stadiumit.

Siç pritej, ideja e tyre nuk u realizua në mënyrën më të mirë dhe fusha ishte ende në gjendje të dëshpëruar.

Në terrenin e përmbytur dhe të shkatërruar, Lille ia doli më mirë dhe fitoi 2-0 dhe mbeti në vendin e parë në tabelën e grupit A, ndërsa Olimpija qëndroi në vendin e fundit. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version