Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për takimin e sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Haradinajt, Kurti ka dështuar në procesin e dialogut, duke theksuar se qasja e tij nuk do të sjellë rezultate dhe se është e rrezikshme për vendin, transmeton Telegrafi.
“Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit. Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit”, ka theksuar Haradinaj.
Tutje, ai ka shkruar “përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet të bëhet gjatë mandatit të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Gjithashtu, Kurti ka theksuar se gjatë takimit në Bruksel ka bërë katër propozime për procesin e dialogut, por që propozimet nuk janë pranuar. /Telegrafi/