Telegrafi

Haradinajt nuk i bën përshtypje plani i Kurtit

Kreu i AAK-së, njëherësh i nominuari i PAN-it për kryeministër të vendit, ka thënë se as që e ka lexuar letrën e hapur të Albin Kurtit.

“Për besë nuk e kam lexu”, ka thënë shkurt Haradinaj, në interesimin e gazetarëve gjatë konferencës për media ku nga selia e partisë ka prezantuar gjashtë kandidatë për kryetar komune.

Kurti ka propozuar që kur të mblidhet Kuvendi më 24 gusht, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre, nëse PAN dështon të sigurojë votat për Kadri Veselin.

“Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja Vetëvendosje,” ka thënë Kurti.

Në një shkrim në Facebook, të cilën Kurti e ka titulluar “Si të dalim nga bllokimi”, ai thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, që ia jep të drejtën ekskluzive grupit më të madh parlamentar të ketë kryetarin e Kuvendit, është i gabuar.