Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka vizituar zyrat e OVL-UÇK-së, pas bastisjes të bërë nga EULEX-i dhe pas arrestimit të kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucati.
Haradinaj ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur sot na bënë të mendojmë sa e kemi shtet, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk e njohim këtë gjykatë. Kjo çfarë ka ndodhur sot na bën të mendohemi se a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, edhe pse e dimë çfarë e kemi. A kemi Kushtetutë? A ka të drejtë dikush të hyjë në dhomën e gjumit pa trokit, as në zyre nuk bën të hyjë askush pa trokit. EULEX sillet kështu me neve sepse nuk na konsideron njerëz, nuk na intereson të denjë. Specialja nuk është e Kosovës”, pohoi ai para mediave.
Haradinaj ka thënë se Gucati nuk është intervistuar asnjëherë nga Specialja, dhe se nuk i dinë arsyet pse është arrestuar ai.
Ndryshe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati sot është arrestuar nga Policia e EULEX-it.
Këtë e ka konfirmuar avokati Tomë Gashi.
“Tani u arrestu nga policia e EULEX-it kryetari i OVL të UÇK, zoti Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hague! Bastisjet po vazhdojnë!”, ka shkruar Gashi.
Ndryshe, një ditë më parë është arrestuar edhe Salih Mustafa dhe është dërguar në Hagë. /Telegrafi/