Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon me akuza ndaj pushtetit.
Haradinaj thotë se kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, LVV, me mashtrime kanë vjedhur popullin e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Kur flet Kurti për korrupsionin sikur edhe për shumë tema tjera vjen një shprehje ajo fjala popullore “të vret natën e të vajton ditën”. Që nga ardhja në pushtet Kurti dhe VV me mashtrime dhe në formën më tinzare në mënyrë sistematike dhe tek resorët më të ndjeshëm vodhën popullin e Kosovës”, thotë ai.
Tutje, ai ka shtuar se “me Ridin vodhën bukën e Kosovës atëherë kur kishte frikë botërore nga kriza e bukës”.
“Me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara. Popullit ja dyfishuan çmimin e Nagipin e Martinin që ndërmjetësoj në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaqkë gjahu”.
Haradinaj ka potencuar që së shpejti do të vjen dita kur do të luftohet korrupsioni.
“U mashtruan se kontratat e klasifikuara mbesin përgjithmonë të klasifikuara dhe u “flliqën” deri në atë masë sa blerjet e tyre rrezikojnë sigurinë e njerëzve të Kosovës.
Asgjë nuk do të ndal deklasifikimin e këtyre kontratave dhe asgjë nuk do të ndal konfrontimin e hajnive të tyre me qytetarin e Kosovës. E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupcionit do të filloj e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”./Telegrafi/