Site icon Telegrafi

Haradinaj tregon sesi e bindi SHBA-në për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Një takim i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Pentagon me Sekretarin Mbrojtjes, James Mattis, në SHBA i parapriu përfundimisht formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj siguroi në shkurt të 2018-ës, Pentagonin se Kosova ka bërë përparimet e duhura dhe se ka kapacitete të nevojshme për shndërrimin e FSK-së në ushtri. Për këtë edhe mori garancinë e plotë të Pentagonit se është i gatshëm të ndihmoj Kosovën në çdo etapë të këtij projekti. Pak muaj pas kësaj, garanci Kosova u bë me ushtri, derisa Haradinaj si kryeministër deklaroi se ushtrive të paqes u prinë Amerika dhe se Kosova ka nder të rreshtohet pas Amerikës.

Përmes një njoftimi nga AAK, thuhet se ish-kryeministrit dhe kandidati për President të Kosovës, Ramush Haradinaj, në shkurt të vitit 2018, kishte zhvilluar njërin ndër takimet më të rëndësishme si kryeministër në ShBA. Në vizitën zyrtare në Pentagon, Haradinaj siguroi se Kosova ka bërë përparimet e duhura për të formuar ushtrinë.

Haradinaj nga sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, mori garancinë se Petagoni ishte i gatshëm për të ndihmuar Kosovën, në rrugën e Kosovës për të pasur ushtrinë e vet.

“Të drejtën për të jetuar të lirë e kemi arritur falë ndihmës në kohë të duhur të Ushtrisë Amerikane dhe NATO-s. Është fat i madh që përgjatë këtyre viteve, ne vazhdojmë t’i kemi në krah po këta partnerë. I lumtur të shoh gatishmërinë e Sekretarit Mattis dhe Pentagonit, për ta ndihmuar Kosovën, në rrugën tonë të drejtë për ta pasur ushtrinë tone”, jepte lajmin e madh nga ShBA-ja gjatë kësaj vizitë Haradinaj, thuhet në njoftim.

Sekretari Mattis pati shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalonte Kosova. Por theks të veçantë i kishte venë mbështetjes së fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë.

Përmes edhe një pritje me nderime ushtarake në Pentagon, Haradinajt sekretari Mattis, ia konfirmoi se ShBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.

“Disa muaj pas kësaj vizite të rëndësishme, derisa Haradinaj ishte kryeministër, Kuvendi i Kosovës miratoi përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Bëhej fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu 14 dhjetori shënoi një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Ramush Haradinaj, pas votimit formimit të ushtrisë, pati thënë se Kosova po hynte e fundit në rreshtin e ushtrive të paqes në botë.

“Porosia që e çon Kosova sot, është se paqen e kemi fituar me shumë dhimbje, për paqe na kanë ndihmuar aleatët tanë. Jemi të fundit që kemi mbërritur në paqe dhe të fundit do ta lëmë paqen. Nuk mund të na largojë askush nga rreshti i paqes”, ishte shprehur Haradinaj.

Haradinaj theksoi se ushtrive të paqes u prinë Amerika, duke nënvizuar se Kosova, edhe si popull, edhe si ushtri, e ka nder të rreshtohet pas Amerikës.

Ai deklaroi se Ushtria e Kosovës kurrë nuk do të kthehet kundër popullit të vet.

“Kurrë Ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër askujt, pra jo kundër popullit të vet. Serbët, si në jug, si në veri, janë njerëz të këtij vendi, ushtria është e tyre, ata nesër kanë për të shërbyer në këtë ushtri dhe jo vetëm ata, por të gjithë që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version