Telegrafi

Haradinaj tregon për kontaktet me deputetët e LDK-së dhe VV-së (Video)

Edhe më tutje Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje mohojnë bashkëpunimin me koalicionin PAN, e edhe më tutje Ramush Haradinaj, shprehet i bindur se do ta formojë qeverinë, e këtë do ta arrijë me deputetë shqiptarë edhe nëse s’e pranojnë subjektet e tyre.

Haradinaj, në emisionin ‘Komiteti’ në RTV Dukagjini ka treguar se takohet me zyrtarë të Lidhjes Demokratike e të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që me ta, siç thotë ai, i lidhin etapa të ndryshme.

Ai ka shpjeguar raportet e mira që ka me anëtarë të partive që po i kundërshtojnë koalicionet me PAN-in.

“Unë në komunikim me ta, shumica e tyre më njohin në rrethana të caktuara. Ta zëmë nëse bisedoj me deputetë nga LDK, ata më njohin nga kampi i përbashkët, VLAN, ose i koalicionit me Presidentin Rugova. Më shumë kohë kam qenë në ekip me ta se sa palë e kundërt”, ka thënë Haradinaj.

“Kur takoj kolegë nga VV-ja njihemi prej opozitëbërjes dhe etapave të caktuara. Shumica nuk e kanë probleme komunikimin me mua, sepse jemi vend i vogël ne jemi miq”, ka shtuar ai.

Kandidati për kryeministër ka thënë se ai dëshirohet në pozitën që po e synon edhe nga deputetë jashtë PAN-it, por që pengesë për ta mbështetur atë janë qëndrimet partiake e edhe fakti që pjesë e gjithë kësaj është edhe PDK.

Ndërsa për qeverinë, Haradinaj thotë se do ta formojë sapo t’i jepet mandati, e do të provojë që të bind LDK-në, e nëse kjo dështon, shpresat i ka te deputetët që tashmë, thotë, se ia kanë konfirmuar mbështetjen.

Haradinaj, ka thënë se tashmë ka filluar konsultimet me minoritetet që jetojnë në Kosovë për të formuar qeverinë e re.