Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit, lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë.
Duke e kritikuar për këtë vendim, Haradinaj e quajti Kurtin ‘good guy’ (djalë i mirë) dhe tha se i njëjti po vepron vetëm sipas direktivave të Bashkimit Evropian.
I pari i AAK-së tutje iu drejtua kryeministrit me fjalët “tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd?”, raporton Telegrafi.
E në replikën e tij, Kurti tha se nuk është radikal në karakter, por vetëm ka bërë veprime radikale në të kaluarën kur sipas tij, situata ishte shumë e rrezikshme për shtetin.
“Nuk e kuptoj se çfarë vlerë paska mos me qenë ‘good guy’. Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin kam bërë veprime radikale. Unë nuk jam radikal për nga karakteri, por nga situatat. Kur Kosova rrezikohet për shkëmbim territorial, Zajednica e ndarje, normalisht që jam radikal. Nëse e keni fjalën për atë”.
Sa i përket ministrit serb, Goran Rakiq, Kurti u shpreh se “unë s’kam koalicion me Listën Serbe, por është obligim kushtetues”. /Telegrafi/