Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove shtesë për muajin prill dhe Ligjin për pagat.
Haradinaj ka thënë se ndarja e 100 eurove shtesë është një lloj mashtrimi.
“Kurti nuk po dëshmon se ka një plan të mëtejmë. Ai dëshiron t’i mbajë paratë në buxhet dhe kohë pas kohe po i kthen në njëburimore, por që nuk e ndryshon inflacionin. Minimum duhet të shkohet në rritjen e pagave dhe skemave pensionale nga 30-50 për qind, ndryshe nuk zgjidhen problemet”, tha Haradinaj, për RTV21.
Për më tepër, Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti po dëshiron qytetarët t’i mbajë të varur nga “pakoja e tij e herëpashershme”.
“Sikur qeveria të kishte paralajmëruar nga 100 euro çdo muaj deri në fund të vitit do të ishte një zgjidhje. Kurti po dëshiron qytetarët t’i mbajë të varur nga pakoja e tij e herëpashershme”, tha Haradinaj.
Duke folur për ligjin për pagat, Haradinaj ka thënë se “do të ishte e guximshme të shkohet me pagë minimale 400 euro”.
“250 euro nuk është rritje me gjithë inflacionin dhe nuk mjafton. Ngritja e pagës minimale nuk është në proporcion me rritjen e pagave tjera”, ka thënë ai.