Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot në orët e hershme të mëngjesit ka takuar zëvendësministrat e Kosovës për të parë punën e tyre të deritanishme, numri i të cilëve arrin në 80.
Haradinaj tha se nga ajo çfarë ka parë është se ka seriozitet në punën e zëvendësministrave.
“Unë sot vërtet muj me dëshmu se ka pasur një seriozitet të jashtëzakonshëm të të gjithë juve”, u shpreh Haradinaj, raporton Telegrafi.
“Ju e keni kuptuar përgjegjësinë kushtetuese që keni. Jemi në një periudhë që ka peshë për vendin, ku secili e ka rolin e tij ose të saj. Ju ftoj të jemi bashkë që të mos dështojmë drejt rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane”, tha Kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sundimi i rendit dhe ligjit, njohjet e reja, gjendja ekonomike, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, janë disa nga temat e ndjeshme dhe që kërkojnë shumë përkushtim, për të cilat kërkohet edhe angazhimi i gjithsecilit nga ne.
“Bëni përpjekje të komunikoni, të jepni nga vetja, që punët e mëdha që i ka vendi, të përmbyllen. Duhet ta përmbyllim me sukses këtë vit. Angazhimi juaj na ndihmon shumë”, tha Haradinaj.
Sipas tij, ajo çfarë duhet është të dihet se cilat janë rezultatet e punës së secilit zëvendëskryeministër. /Telegrafi/
Foto: Arkiv/Ilustrim