Telegrafi

Haradinaj do ta ketë mbështetjen edhe të Listës Serbe

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë për Ekonomia Online se asnjëra nga partitë në vend nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar qeverinë e ardhshme të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Madje ai është shprehur i bindur se Qeverinë që do të krijohet nga koalicioni PAN, do ta përkrahë edhe Lista Serbe.

“Mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë të drejtën ta thonë fjalën e vet në Kuvend, ne jemi të hapur në bashkëpunim me të gjithë. Nuk besoj që Lista Serbe ose ndonjë parti politike ka arsye të fortë për me kundërshtua qeverisjen e ardhshme”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka thënë se formimi i institucioneve do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve, pasi shprehu bindjen se kanë mbështetjen e duhur të deputetëve për një gjë të tillë.

“Ne jemi njëherë duke e pritur certifikimin e rezultateve dhe jemi të sigurt që koalicioni vetëm e ka kryer detyrën e vet, jemi të sigurt që nuk do të humbim kohë dhe besoj se formimi i institucioneve do të jetë shumë i shpejtë menjëherë pas certifikimit të rezultateve”, ka pohuar Haradinaj.

E duke folur për kandidatin për kryetar të Komunës së Deçanit, Haradinaj ka thënë se nëse organet e partisë e marrin vendimin që të jetë kandidat, do ta respektojë.

“Unë mendoj se mbështetjen gjithsesi do ta kem por kjo nuk është situatë në tavolinë ta shohim njëherë, organet e partisë do ta marrin vendimin se kush do të jetë kandidat për Deçan, gjithsesi që në këto rrethana unë jam prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në të ardhmen e afërt të shohim se si vendos partia gjithsesi unë jam njeri i partisë dhe respektoj vendimet”, ka pohuar Haradinaj.