Telegrafi

Haradinaj-Stublla takon Lajçakun, i kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Kosova, historikisht dhe gjeografikisht, i përket Evropës dhe është e vendosur që të zë vendin e vet të merituar në strukturat e Bashkimit Evropian, kështu deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, në takimin që pati në Prishtinë me të derguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Takimi i Ministres Haradinaj – Stublla me emisarin Lajçak, shërbeu për të shprehur qartazi indinjatën e qytetarëve të Kosovës me padrejtësinë dhe vonesat e tejzgjatura të Bashkimit Evropian për agjendën e liberalizimit të vizave, të drejtë të cilën shteti i Kosovës e ka fituar me përmbushjen e të gjitha kritereve.

Haradinaj – Stublla shprehu qëndrimin unik të Kosovës për gatishmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndihmën e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, Haradinaj – Stublla shprehu nevojën që edhe Bashkimi Evropian të punojë me një dinamikë të re, të shtyjë përpara njohjen e Republikës së Kosovës edhe nga pesë vendet anëtare, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/