Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Refuzimi i takimit me Kurtin nga LDK e AAK, tregon mungesë të gatishmërisë për të qeverisur me vendin

Partitë opozitare LDK dhe AAK refuzuan ftesën e kryeministrit Albin Kurti për tu takuar sot dhe për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.

Krerët e të dyja partive, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj e panë si të vonuar këtë ftesë nga ana e kryeministrit Kurti.

I vetmi që iu përgjigj pozitiv kësaj ftese ishte kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se partitë që kanë refuzuar këtë takim, nuk janë të gatshme të qeverisin me vendin.

Lexo po ashtu LDK e AAK i bënë "bllok" Kurtit, çfarë thanë nga opozita për ftesën e kryeministrit për takim?

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se sa do që të jetë e vonshme kjo ftesë, refuzimi i saj tregon gjithashtu se liderët nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të vendit.

“Liderët dhe partitë politike që refuzojnë ndërtimin (edhe pse të vonshëm) të unitetit nuk janë gati të qeverisin me vendin dhe nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

pas refuzimit që mori nga dy partitë opozitare, kryeministri Albin Kurti u shpreh se është i interesuar që të takohet me të gjithë.

Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes. /Telegrafi/