Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Me njohjen nga Izraeli, Kosova e thyen zingjirin e fushatës agresive të Serbisë, për çnjohje

Republika e Kosovës dhe Izraeli nga sot edhe zyrtarisht kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, përmes marrëveshjes së nënshkruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Haradinaj-Stublla gjatë konferencës për medie, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se me këtë marrëveshje, Kosova ka thyer zingjirin e fushatës agresive të Serbisë për çnjohjen e Kosovës.

“Me aktin e sotëm, Kosova e thyen po ashtu zingjirin e fushatës agresive të Serbisë, për çnjohjen e Kosovës dhe po krijojmë një terren e horizont të ri për njohjen universale, pra të gjithmbarshme të Republikës së Kosovës”, u shpreh Haradinaj-Stublla.

Sipas ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kjo marrëveshje e forcon subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës.

“Kosova sot po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, një moment historik dhe i jashtëzakonshëm, jo vetëm që e forcon subjektivitetin ndërkombëtarë tonin por që e rrëzon secilin argument për vendet mos njohëse për të vazhduar me mosnjohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovë”, u shpreh ajo gjatë konferencës për medie. /Telegrafi/