Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën ka zhvilluar takimin e parë në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Gjermani.
Haradinaj-Stublla, në Berlin është pritur në takim nga.Christina Beinhoff, Zëvendës Shefe e Parë për Punë të Jashtme dhe Siguri në Zyren e Kancelares Gjermane Angela Merkel.
“Kishim diskutime të thella rreth dy temave strategjike për Kosovën: liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë, duke kërkuar edhe njëherë rolin aktiv të Kancelares Merkel për t’i dhënë drejtimin e domosdoshëm strategjik epilogut të tyre”, bëri të ditur kryediplomatja Haradinaj-Stublla.
Ajo shtoi se e drejta e fituar e Kosovës për lëvizje të lirë duhet të formalizohet sa më parë, dhe dialogu me Serbinë nuk ka epilog tjetër pos njohjes reciproke në kufijtë ekzistues, dhe sipas rendit aktual Kushtetues, si parime të panegociueshme.
Shefja e diplomacisë kosovare, e cila në Berlin po qëndron me ftesë të homologut Heiko Maas, në emër të Republikës së Kosovës ka falënderuar Gjermaninë që vazhdon të jetë aleatja më e fuqishme e Kosovës në Evropë. /Telegrafi/