Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Kosova duhet të rikthejë Ministrinë e Integrimit Evropian

Ish ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se mbetet e pakuptueshme se si institucionet aktuale të Kosovës ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit, pa qenë të mirëinformuar se ende ka çështje ‘teknike’ të pasqaruara bilaterale me disa shtete anëtare.

Haradinaj, e cila edhe para takimit të sotëm të Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, ka thënë se “procesi i liberalizimit e definon saktë marrëdhënien jofunksionale të Kosovës me BE-në: shpërfillëse, të pabarabartë, dhe politike”.

“Ndonëse me shumëfish më shumë kritere se vendet tjera rreth nesh, të vendosura në një marrëdhënie të qartë kontraktuale me BE-në, çështje kryesisht të natyrës teknike jo rrallë janë keqpërdorur nga BE për të kushtëzuar procese tërësisht politike në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Fakti se çështja e politikës së jashtme të BE-së mbetet përgjegjësi ekskluzive e shteteve anëtare, shumë shpesh në rastin e Kosovës është përdorur si mjet për të mbipremtuar (si psh liberalizimi) ndërsa pas dështimit nga ana e tyre, është përdorur si arsyetim për t’u shfajësuar se kinse secila prej shteteve anëtare kanë qëndrime të ndryshme. Prandaj, e them me bindje të plotë se mangësitë strukturore të BE-së nuk i pasqyron asgjë më qartë sesa procesi i tejzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovën, proces i cili ia ka humbur kredibilitetin BE-së si tërësi politike së pari për të nderuar obligimet e tyre kontraktuale, për të ofruar një vizion proevropian për shtetet aspiruese, dhe së treti për të mbajtur premtimet e tyre politike”, tha ajo.

“Për mua sot mbetet e pakuptueshme se si institucionet aktuale të Kosovës ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit, pa qenë të mirëinformuar se ende ka çështje ‘teknike’ të pasqaruara bilaterale me disa shtete anëtare!”

Sipas saj, “gabimi kryesor strategjik qëndron në faktin se portfolion e integrimit evropian e menaxhon i njëjti zëvendës-kryeministër i cili është përgjegjës për dialogun ’teknik’ me Serbinë. Andaj kjo Qeveri me vetëdije po lejon që të kushtëzohet njëri proces me tjetrin”.

“Kosova duhet të rikthejë me urgjencë Ministrinë e Integrimit Evropian, dhe të punojë intensivisht në agjendë serioze për avancimin e rrugës eurointegruese, një rrugë e pa-alternativë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version