Kryeministri Ramush Haradinaj ka shpjeguar se si i kishte treguar presidentit Ibrahim Rugova se do të dorëhiqej nga posti i të parit të ekzekutivit, 100 ditë pasi e mori këtë detyrë.
Haradinaj u detyrua që ta lë Qeverinë në mars të vitit 2005 për shkak se u ftua nga Tribunali i Hagës.
“U mërzit shumë”, tregon Haradinaj.
“Ish kanë tu qajtë. I pikshin lotët. Ai më ligu se unë isha i fortë”, ka treguar Haradinaj në Pressing të T7.
“I thash: ‘O president mos e ki merak se i kapërcejmë këto’”, tregon t’i ketë thënë ai.
Ai tha se me Rugovën është marrë vesh për qeverisjen e vendit në pranverën e vitit 2004, pas trazirave të marsit të atëhershëm.
Shefi i ekzekutivit ka kujtuar se me Rugovën ka biseduar pas një takimi që kishin pasur figurat e vendit me zyrtarët perëndimorë.
“Më tha: ‘Ramush bre, të pata vetë më 2001… A po i bëjmë bashkë institucionet’”, ka kujtuar Haradinaj t’i ketë thënë Rugova.
“Çka po ta merr mendja, në vjeshtë?”, i kishte thënë Rugova, Haradinajt, ka treguar ky i fundit.
Haradinaj ka thënë t’i jetë përgjigjur pozitivisht ofertës së Rugovës.
“I thashë: Po, nëse na dalin numrat, për hair na qoftë”, ka kujtuar Haradinaj.
“Ia kam dhënë dorën, e shikova në sy”, ka theksuar ai.
Haradinaj tregoi se i ka vazhduar deri në vdekje komunikimet me Ibrahim Rugovën.
Foto nga arkivi