Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se objektiv kryesor i Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO. Këto deklarata, Haradinaj i shpalosi në Forumin e Dubrovnikut, ku po diskutohet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Mediteranit.
“Jemi duke punuar me përkushtim për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, fuqizimin e sundimin të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të njëjtën kohë po punojmë në Agjendën e Reformave Evropiane, ERA 2”, tha Haradinaj.
Më tej, Haradinaj ka theksuar se Kosova është duke punuar për të shndërruar FSK-në në forcë të armatosur, sipas standardeve të NATO-s, duke synuar bashkëpunimin me vendet aleate në forcimin e stabilitetit në rajon, Evropë dhe në botë.
“Kosova ka paguar çmim të shtrenjtë për paqen që ka sot, ia din vlerën, dhe është e vendosur për partneritet me të gjitha vendet që janë të përkushtuara për paqen e përhershme në rajonin tonë”, tha Haradinaj./Telegrafi