Telegrafi

Haradinaj: Rexhep Selimi do të dalë i pafajshëm sikurse gjithë të tjerët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja për deputetin Rexhep Selimi.

Haradinaj ka thënë se nuk ka gjyq që mund ta vë në dyshim përpjekjen e tyre për liri, transmeton Telegrafi.

“Rexha do të dalë i pafajshëm sikurse gjithë të tjerët që pas aq shumë viteve iu duhet ta mbrojnë një epokë të historisë, e cila në fakt nuk ka nevojë për mbrojtje”, ka pohuar ai në një shkrim në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se do të jetë me çlirimtarët përgjithmonë e me besim në drejtësi.

Ndryshe, Gjykata Speciale ia ka konfirmuar aktakuzën edhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Këtë e ka bërë të ditur vet Selim nëpërmjet llogarisë së tij Facebook.

Ai ka thënë se do të udhëtojë nesër për në Hagë.

“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombës të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”, ka deklaruar Selimi. /Telegrafi/