Site icon Telegrafi

Haradinaj reagon për vrasjen e gruas në Prizren, e cila është nëna e këshilltares së tij

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Prizren, e cila është nëna e këshilltares së kryeministrit.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti.  Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në një shkrim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Për vrasjen e gruas në Prizren, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai ka thënë se ngjarja e rëndë e vrasjes në Prizren, është një akt i papranueshëm të cilin e dënon fuqishëm.

Ndryshe, viktima A.A  dyshohet të jetë vrarë nga bashkëshorti i saj, rasti ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Hysni Morina” në Prizren  rreth orës 23:00.

“Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë.

Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lexo po ashtu Vrasje e rëndë në Prizren, burri vret gruan

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se lidhur me rastin është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958./Telegrafi/

Exit mobile version