Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ndalimit të këshilltarit të njëherit zyrtarit të Partisë Liberale Serbe, Srgjan Jovanoviq, nga autoritetet e Serbisë.
Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ky ndalim dëshmon se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe janë shenjë agresioni ndaj qytetarëve të Kosovës.
Haradinaj i ka bërë thirrje Brukselit që të adresojë sjelljet e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Shpreh shqetësimin për ndalimin e këshilltarit tim Srdjan Jovanovic nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. Ky ndalim, që nuk është i pari i kësaj natyre, edhe njëherë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës.
Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Brukselit zyrtar që të reflektojnë dhe adresojnë, sjelljen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ky agresion, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona”, ka shkruar në Facebook, Ramush Haradinaj.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për ndalimin e zyrtarit të Partisë Serbe, Srgjan Jovanoviq, nga autoritetet e Serbisë.
Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ndalimi i Jovanoviqit është veprim i papranueshëm që synon të përndjekë serbët e Kosovës. /Telegrafi/