Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla nuk bën politikë të jashtme.
Ai ka shtuar kushdo që udhëheq me Kosovën nuk duhet të dalë prej themeleve të veta.
“Ajo që i ka ndodh kësaj qeverie është pikërisht e kundërta, Gjatë kohës sa LVV ka qenë në opozitë i ka menduar fajtor gjithë të tjerët dhe ia ka lënë fajin UÇK-së, se komandantët po udhëheqin me vendin. Në raste të caktuara edhe kur s’janë pajtuar me LDK-në kanë menduar se fajin e ka Ibrahim Rugova, jo vetëm kaq ka menduar se Amerika po i mban në pushtet komandantët dhe UÇK-në”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se në institucionet e sotme ende luftohet UÇK-ja, dhe kanë mbetur peng i kohës sa ishin në opozitë.
“Vazhdohet me qenë kundër Amerikës e këtë mjaft konsistent. Jemi duke hargjuar kohën tonë dhe kreditat e krijuar prej atyre që s’janë më në jetë. Qeveria Kurti është duke abuzuar me durimin me pasionin e aleatëve kryesor të sigurisë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se nuk ka politikë të jashtme pa vendime të brendshme.
Haradinaj ka shtuar se Kosova ende nuk e ka të votuar Strategjinë e sigurisë, sidomos në këto kohëra kaq të turbullta. /Telegrafi/