Site icon Telegrafi

Haradinaj: Qeveria duhet ta lehtësojë jetën e policëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar policin Enver Zymeri në përvjetorin e rënies dhe të gjithë policët e rënë në detyrë.

Haradinaj ka thënë se në reflektim të kësaj dite, ia rikujton qeverisë pasojat e mosveprimit lidhur me Ligjin e Pagave.

“Në ditën kur përkujtojmë policët e rënë në detyrë, përulemi me respekt para veprës madhore të Enver Zymerit dhe secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës, që dha jetën për sigurinë tonë. Në reflektim të kësaj dite dhe secilës ditë të atyre që janë gjithnjë në detyrë për sigurinë e Republikës së Kosovës, po i rikujtoj qeverisë pasojat e mosaprovimit të Ligjit të Pagave, e që e kalon shifrën prej 14 milionë euro në vit”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Haradinaj po ashtu ka thënë se është e nevojshme të rregullohet ligji për statusin e Dëshmorit të rënë në krye të detyrës.

Lexo po ashtu Për herë të parë shënohet Dita Memoriale e policëve të rënë në detyrë

“Ia rikujtoj qeverisë së vendit edhe nevojën e rregullimit me ligj të statusit të Dëshmorit të rënë në krye të detyrës, për pjesëtarët e organeve të rendit e sigurisë.

Po ashtu në reflektim të kësaj dite, nuk mund të mos përmend edhe dy ligje të tjera, që do e lehtësonin jetën e secilit pjesëtar të Policisë:

Ligji për pensionimin e zyrtarëve të Policisë dhe IPK-së, ligj i gatshëm për miratim që nga viti 2019

Ligji për sigurimin jetësor e shëndetësor për Policinë, e që kostoja e tij nuk e kalon shifrën e 4 milionë eurove.

Nderimi më i madh që shteti mund ta bëjë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përpos homazheve në përvjetorë, është të lehtësojë jetën e tyre”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version