Telegrafi

Haradinaj: Protesta e sotme e VV-së, presion dhe ndërhyrje ndaj gjyqësorit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka folur për protestën e sotme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Haradinaj ka thënë se kjo protestë është presion ndaj prokurorisë.

Kryeministri ka theksuar se para se të dilet në rrugë, ekzistojnë mënyra tjera të protestimit, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vetëvendosje proteston kundër kryeprokurorit Lumezi

“Protestë nuk është vetëm dalja në rrugë, ka shumë mënyra të protestimit. Ekziston një rrezik kur një parti politike proteston kundër një prokurori, atëherë kjo kalon në ndërhyrje të gjyqësorit. Unë i kam bërë thirrje VV-së që ti shterojnë të gjithë instrumentet tjerë për pakënaqësitë e tyre. Para se me kalua në protestë ka edhe forma tjera, protesta para prokurorisë është formë e presionit ndaj prokurorisë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka komentuar dhe deklaratat e ambasadorit amerikan Philip Kosnett, i cili kërkoi që Kosova të ballafaqohet me problemet e saja sa i përket gjyqësorit.

“Qëndrimet e ambasadorit amerikan por edhe ambasadorëve tjerë që Kosova të ballafaqohet me probleme të veta, janë ndihmesë për Kosovën dhe kjo është në rregull”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/