Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka pranuar një letër-falënderim nga presidentja e Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se përmes kësaj letre, presidentja e zgjedhur e Bashkimit Europian, riafirmon se Ballkani Perëndimor do të jetë ne fokus të Presidentes, dhe që bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen.
Haradinaj ka shkruar se qëndrimi i Kosovës është i qarë që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke shtuar se beson që Bashkimi Europian do të reflektojë për shkaqet e devijimit të dialogut.
Postimi i plotë i Haradinajt:
I nderuar të pranoj letër-falënderim nga presidentja e Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, për urimin tim në zgjedhjen e saj në krye të BE-së. Përmes kësaj letre, presidentja e zgjedhur e Bashkimit Europian, riafirmon se Ballkani Perëndimor do të jetë ne fokus të Presidentes, dhe që bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen.
Siç e kam thënë në urimin tim, kam besim të plotë që Bashkimi Europian nën udhëheqjen e saj, do ta kthejë Kosovën në dinamikat e duhura integruese europiane. Ne mirëpresim qëndrimin e Znj. Von der Leyen, se ne kemi të përbashkët historinë dhe të ardhmen dhe ne jemi të gatshëm që së bashku t’i tejkalojmë sfidat.
Qendrimi ynë tashmë është i qartë: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj që Bashkimi Europian do të reflektojë për shkaqet e devijimit të dialogut dhe do të intensifikojë përpjekjet në evitimin e temave, siç është shkëmbimi i territoreve e që shpiejnë në destabilizim e rajonit tonë./Telegrafi/